Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarës për dhunë ndaj prindit të saj. Sinjali raportoi dje se 32-vjeçarja e arrestuar dyshohet se e ka sulmuar babanë e saj me thikë, pas një mosmarrëveshje.
L. Jakupi është dërguar në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndimi i lehtë trupor.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar, se “e pandehura me datë 6 maj 2024, në Shtime, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, me dashje i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarit- prindit të saj R.J., si viktimë e ndjeshme për shkak të marrëdhënieve familjare që kanë, në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale në mes tyre, pasi që e njëjta kishte kërkuar nga i dëmtuari t`a ndërpresë telefonatën me vajzën e tij, e pandehura bëhet nervoz dhe e godet të dëmtuarin në anën e djathtë në pjesën e gjoksit, me një thikë-mjet, me të’ cilin mund t`i shkaktojë lëndime të rënda trupore ose dëmtim të rëndë të shëndetit, e pasi del në oborr dhe e godet me gurë në pjesë të trupit, i dëmtuari ka marrë tretman mjekësor dhe posedon raport mjekësor nga QKMF në Shtime.”
Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.