E groposi armën dhe qëndroi në arrati për dy muaj, i dyshuari dorëzohet në Polici


Pas më shumë se dy muajsh në arrati, njëri nga të dyshuarit për plagosjen e dy të rinjve, Drsej Morina dhe Olsi Podvorica në Prishtinë, është dorëzuar në Polici. Personat që sulmuan me mjete të forta, armë zjarri e thikë viktimat, natën kritike arritën t’iu shpëtonin prangave të Policisë. Por tashmë njëri prej tyre ndodhet në ndalim dhe Sinjali ka mësuar se për cilin prej të dyshuarve bëhet fjalë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që është paraqitur sot në Polici është Gentrit Ymeri, (27-vjeçar), i cili dyshohet se e ka plagosur me armë njërin nga viktimat.

Revolen që e ka përdorur, i riu e kishte groposur në një lokacion në Prishtinë, ku edhe u gjet dhe u sekuestrua.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e tjera të nevojshme.

Por kush janë të dyshuarit e tjerë dhe si ndodhi rasti?

Një darkë e zakonshme e iftarit, më 27 mars u kthye në tmerr për dy të rinjtë. Pasi ata dolën nga një restorant në rrugën ‘Qamil Hoxha’ në Prishtinë, tre të dyshuarit i sulmuan dhe për pasojë, Morina mbeti i plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa Podvorica mori lëndime nga goditja me thikë.

Përveç Ymeri, dy të dyshuarit e tjerë janë Endrit Llapashtica 27-vjeçar dhe Ridon Llapashtica 25-vjeçar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar “Vrasje në tentativë”, “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Related Articles