E hakoi GTA 6 nga dhoma e hotelit me një Fire Stick, 21-vjeçari shqiptar pranon akuzat

E hakoi GTA 6 nga dhoma e hotelit me një Fire Stick, 21-vjeçari shqiptar pranon akuzat

Arion Kurtaj, 21-vjeçari me prejardhje shqiptare nga Oxfordi i Anglisë, ka pranuar të gjitha akuzat për hakimin e kompanisë Rockstar Games, e njohur për prodhimin e videolojës së shumëpritur “Grand Theft Auto 6” (GTA 6).

Pranimin e akuzave ai e bëri vetëm pak ditë para daljes zyrtare në treg të lojës, më 19 nëntor. Kurtaj u paraqit të hënën në Gjykatën Crown në Woolwich të Londrës, raporton BBC. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur kreu sulmin kibernetik, në shtator të vitit 2022, ndërsa dënimi i tij pritet të shqiptohet në një seancë të mëvonshme.

Si arriti Kurtaj të hakonte Rockstar Games?

Në shtator të vitit 2022, Kurtaj ndodhej në liri me kusht për shkak të sulmeve të mëhershme kibernetike, ndërsa autoritetet ia kishin konfiskuar kompjuterin.

Megjithatë, kjo nuk e pengoi të kryente një tjetër sulm. Sipas prokurorisë britanike, nga një dhomë hoteli ai arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar Games duke përdorur një pajisje Amazon Fire Stick, e cila lidhet me televizorin për të parë përmbajtje online, si dhe një tastierë dhe maus me Bluetooth.

Përmes këtij sulmi, ai vodhi rreth 90 klipe nga versioni ende i papërfunduar i GTA 6, me një kohëzgjatje të përgjithshme prej afro një ore. Më pas, e kërcënoi kompaninë se do t’i publikonte materialet nëse nuk paguhej.

Klipet përfunduan në një forum të fansave të lojës dhe u shpërndanë në mbarë botën, shumë kohë përpara se Rockstar Games ta prezantonte zyrtarisht GTA 6.

Sipas kompanisë, incidenti i shkaktoi dëme prej pesë milionë dollarësh, ndërsa stafi u detyrua të shpenzonte mijëra orë pune për t’u marrë me pasojat e sulmit.

Kush është Arion Kurtaj?

Kurtaj ka qenë anëtar kyç i grupit të hakerëve Lapsus$, i përbërë kryesisht nga adoleshentë dhe i lidhur me sulme kibernetike ndaj gjigantëve të teknologjisë, si Nvidia, Uber, Microsoft dhe Okta.

Sipas hetuesve të cituar nga mediat amerikane, aktivitetin në krimin kibernetik ai e kishte nisur kur ishte vetëm 11 vjeç.

Para sulmit ndaj Rockstar Games, Kurtaj dhe një tjetër i mitur kishin depërtuar në sistemet e kompanive britanike të telekomunikacionit BT dhe EE. Ata kishin vjedhur të dhënat e përdoruesve dhe kishin kërkuar katër milionë dollarë haraç.

Kurtaj është rritur në Oxfordshire të Anglisë, së bashku me nënën dhe vëllain e tij më të vogël. Prejardhja e tij shqiptare është raportuar nga mediat në Kosovë, ndërsa mediat britanike nuk e kanë përmendur këtë detaj.

Pse u vendos në spital dhe jo në burg?

Në vitin 2023, kur ishte 18 vjeç, Kurtaj u vlerësua si i papërshtatshëm për t’u gjykuar për shkak të autizmit të rëndë. Për këtë arsye, juria nuk vendosi nëse ai ishte fajtor, por vetëm nëse i kishte kryer veprat për të cilat akuzohej.

Vlerësimi psikiatrik konstatoi se ai vazhdonte të shprehte synimin për t’u kthyer në krimin kibernetik sa më shpejt. Duke marrë parasysh aftësitë dhe qëllimet e tij, gjykatësi e cilësoi rrezik të lartë për publikun dhe e urdhëroi qëndrimin në një spital të sigurt për një periudhë të pacaktuar.

Gjatë procedurave gjyqësore ishte bërë e ditur gjithashtu se Kurtaj kishte shfaqur sjellje të dhunshme edhe gjatë paraburgimit.

Çfarë ndryshoi tani?

Në fund të vitit të kaluar, një vlerësim rutinë arriti në përfundimin se Kurtaj tashmë ishte i aftë të paraqitej para gjykatës. Në janar, ai u transferua nga spitali në një burg të zakonshëm.

Kështu, çështja e tij u rikthye në procedurë gjyqësore, por në vend që të përballej me një proces, Kurtaj pranoi të gjitha akuzat.

Sipas BBC-së, në mesin e tyre janë edhe sulmet fizike ndaj punonjësve gjatë kohës në paraburgim, përfshirë disa raste kur ai i kishte kafshuar ata.

Çfarë mbetet ende e paqartë?

Pavarësisht pranimit të të gjitha akuzave, disa detaje të rastit mbeten ende të panjohura:

Sa do të jetë dënimi i Kurtajt dhe kur do të shqiptohet?

A do t’i llogaritet në dënim koha e kaluar në spitalin e sigurt?

Nga cila pjesë e trojeve shqiptare e ka prejardhjen familja e tij?

A ka përfituar ndonjëherë para nga shantazhet ndaj kompanive?

A do të kërkojë Rockstar Games dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara?

Related Articles