E humb kontrollin futbollisti serb: Do ta nokautoja Xhakën apo Shaqirin

E humb kontrollin futbollisti serb: Do ta nokautoja Xhakën apo Shaqirin

Ish-futbollisti i Serbisë, Zdravko Kuzmanoviq, ka treguar fytyrën e vërtetë. Ai ka thënë se do të nokautonte Granit Xhakën apo Xherdan Shaqirin nëse do të ishte ende pjesë e Serbisë.

Sipas Kuzmanoviqit, lojtarët e Serbisë duhet të jenë gati për çdo gjë në ndeshjen ndaj Zvicrës.

Zvicra e Serbia luajnë të premten ndeshje vendimtare në Kupën e Botës në Katar.

Liderë të Zvicrës janë Xhaka e Shaqiri.

Kuzmanoviq është i lindur në Zvicër, ndërsa ka luajtur për të rinjtë e këtij vendi. Te seniorët luajti për Serbinë, ndërsa ka zhvilluar 50 ndeshje dhe ka shënuar gjashtë gola.

Ai është pyetur për shqiponjën dykrenare të Xhakës e Shaqirit në Rusi.

“Ai gjest ishte i turpshëm. Duhet të ndani politikën dhe sportin, ndërsa ata këtë nuk e kanë bërë. Sikur të luaja ende për Serbinë dhe të isha në këtë Kupë të Botës, do të nokautoja Xhakën apo Shaqirin”, ka thënë Kuzmanoviq, përcjell “b92.net”.

“Provokimi erdhi nga Zvicra, 100 për qind. Shfaqja e shqiponjës dykrenare nuk erdhi nga emocionet, por ishte e planifikuar. Ngjarjet në Rusi nuk bën të harrohen. Nëse provokon duhet të jesh gati që gjërat të komplikohen në terren. Është një thënie e mirë ‘Gjithnjë takohesh dy herë në jetë’”, ka thënë Kuzmanoviq, që ka folur për mediat në Zvicër, ndërsa intervista e tij është publikuar në sajtin serb.

Ai ka paralajmëruar lojë më të ashpër të Serbisë.

“Sikur të isha unë ende futbollist, sigurisht do të luaja ashtu. Shpresoj se do të mbesin të qetë, por të gjithë lojtarët do të jenë të përgatitur si duhet. Do të jetë ndeshje shumë e mirë dhe emocionale. Mendoj që ata që kanë luajtur në vitin 2018 nuk do ta kuptojnë të lehtë. Diçka mbajnë mend”, ka thënë Kuzmanoviq.

Kuzmanoviq 35-vjeçar, ka luajtur më së shumti te Baseli, ku janë paraqitur edhe Xhaka e Shaqiri. Ka luajtur edhe për Fiorentinan, Stuttgartin, Interin, Udinesen, Malagan. Karrierën e ka përfunduar tashmë.

Related Articles