Analist i futbollit, Arsim Prepolli ka thënë se në Superligën e Kosovës në futboll posedon edhe lojtarë tjerë kualitativ, që nuk e bartin vetëm fanellën e Ballkanit.
Prepollin e gëzon fakti se Ballkani po paraqitet mirë në Ligën e Konferencës, por vëmendja e madhe që i është dhënë kampionëve të vendit po i duket atij sikur të jetë klubi i madh evropian, Real Madridi.
“Ju po thuni vetëm Ballkani, Ballkani. Ka edhe lojtarë të tjerë të Superligës sepse jeni fokusuar vetëm te Ballkani. Është normale që Ballkani ka ndeshje ndërkombëtare, por me sa e di unë i ka ftuar dy lojtarë së fundmi (te Kombëtarja e Kosovës), por nuk patën minutazh shumë. Ballkani në kombëtare nuk mund t’i ketë pesë apo gjashtë. Të jemi realista. Selektori i fton ku ka nevojë më shumë”, tha Prepolli në ATV.
“Ballkanin e keni bërë Real Madrid. Mua më gëzon fakti se Ballkani po e gëzon tërë Kosovën. Por tash nuk muj me pa se po ftohen pesë lojtarë të Ballkanit dhe asnjë i Dritës apo Prishtinës ku ka lojtarë kualitativ që ata nuk kanë luajtur në garat evropiane por kanë kualitet”, theksoi ai.
Ballkani është duke marrë pjesë në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës dhe pas tri ndeshjeve të zhvilluara zë vendin e parë me katër pikë, aq sa kanë edhe Slavia Praha, Cluji dhe Sivasspori në Grupin G.