E konfirmon Policia: Valon Ademi e grushtoi Sokol Havollin

E konfirmon Policia: Valon Ademi e grushtoi Sokol Havollin

Policia e Kosovës ka konfirmuar se biznesmeni kosovar Valon Ademi dhe Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, janë përfshirë në një përleshje fizike. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 30 janarit në një lokal në qendër të kryeqytetit.

Nga Policia e Rajonit të Prishtinës kanë konfirmuar të martën se rasti është inicuar si “Lëndim i lehtë trupor”.

“Ju njoftojmë se rasti është raportuar në polici dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit është hapur rast për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”.  Të gjitha veprimet e radhës do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Gazeta online Reporreri.net merr vesh se incidenti ka ndodhur pas një përplasje verbale mes dyshes të cilët po qëndronin në të njëjtin lokal në Prishtinë. Derisa sulmi me grusht i biznesmenit Ademi ndaj Havollit u krye kur ky i fundit ishte nisur për t’u larguar nga lokali.

Emri i biznesmenit Valon Ademi është përmendur muajve të fundit në Shqipëri për shkak se u lidh me disa investime të përfolura rreth Aeroportit të Vlorës, duke e vënë në qendër të një skandali të bujshëm atje.

Havolli ndërkohë ka mbajtur më herët funksione të rëndësishme publike në Kosovë, përfshirë postin e zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe drejtuesit të ndërmarrjes publike “Parking Prishtina”. Ai ka qenë kandidat i LDK-së për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare, por nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.

Rrahja u raportua tek të shtunën, një ditë pas, fillimisht në mediat në Shqipëri.

Related Articles