Elmedina Hajdari, është një nga rastet e shumta në Kosovë, që është përballur me dhunë në familje e cila ka qenë sistematike, por ajo është nga rastet e rralla që ka guxuar ta ngrejë zërin dhe ta raportoj dhunën ndaj saj, e cila është shkaktuar nga ish-bashkëshorti dhe familjarët e tij.
Ajo në emisionin “Five”, ka rrëfyer për dhunën sistematike me të cilën është përballur me vite, teksa e ka përmendur një rast kur vëllai i ish-bashkëshortit, kishte tentuar ta godasë me veturë kur ajo në krah po e mbante vajzën e saj 1-vjecare.
“Është mbajtur një seancë më 2 mars ku kam kërkuar që vëllai i bashkëshortit të dënohet. Ai ka deshtë të më shkelë me veturë, në krah e kam pasur vajzën e vogël 1 vit e gjysmë. Pres një vendim qysh duhet me marrë, si e kam cekë, në Pallatin e Drejtësisë, ekziston Gjykata e Apelit dhe Supremja, nëse duhet edhe jashtë vendit. Do të luftojë për të gjitha gratë”, ka thënë ajo.
Hajdari, ka thënë se dhunën e shkaktuar nga ish-bashkëshorti dhe familja e tij, e ka raportuar në polici disa herë, por sipas saj ka pasur raste kur policia nuk e ka marrë fare seriozisht, madje e kanë tallur.
Ajo ka treguar se në një rast, disa policë i kishin thënë “s’kemi çfarë të bëjmë, shko nga të duash”.
“U kam kërku ta marrin rastin në dorë, u kam thënë, jam viktimë dhe jetoj në mes tyre në mes të dhunuesve. Me një fjalë policia ka thënë s’kemi çfarë të bëjmë shko nga të duash. E kam lajmëru IPK-në, e kam thirrë aty është hapur rast ndaj ish-bashkëshortit, por përsëri është liru në procedurë të rregullt”, ka thënë ajo.
Përvec dhunës, Hajdari pas ndarjes nga bashkëshorti është përballur edhe më vështirësi ekonomike, ajo është detyruar që tre fëmijët t’ia dorëzoj atij, në mungesë të një mbështetjeje financiare nga shteti.
“Te unë ka qenë dhunë psiqike, fizike dhe ekonomike. Tre fëmijët ia kam dorëzu bashkëshortit për shkak se alementacionin edhe pse e ka pas obligim me ma dhënë nëpërmjet gjirollogarisë, nuk ka deshtë ka kundërshtu, më është dashtë të ia jap fëmijët, sepse i ka kushtet shumë të mira. Edhe pse në gjykatë e bjen një letër që është i papunë, unë kam dërguar prova që ai punon”, ka thënë ajo.
Edhe pse kishte urdhërmbrotje nga gjykata, Hajdari ka treguar se vazhdimisht ish-bashkëshorti dhe familjarët e tij nuk e kanë respektuar, duke vazhduar dhunën psikike sistematike ndaj saj.