Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditë ndaj të pandehurit E.S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Ngacmimi”.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit,
“Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se nga data 06 shkurt deri më 07 shkurt, . në Prizren, i pandehuri E.S., vë personin tjetër – përkatësisht të dëmtuarën, nën vëzhgim në një sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme duke komunikuar me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit, në atë mënyrë që për shkak se e dëmtuara me të pandehurin ka shkëputur lidhjen e tyre duke kërkuar nga ai që të mos e pengoj në të ardhmen”.
“I pandehuri vazhdon të komunikoj me të njëjtën në mënyrë të drejtpërdrejt si dhe përmes telefonit duke i dërguar mesazhe elektronike, mban nën vëzhgim duke qëndruar para banesës së saj dhe pasi e dëmtuara e paraqet rastin në polici i pandehuri shkon përsëri para banesës së të dëmtuarës duke i thënë “nuk guxon me dal prej banesës, shko hiqe deklaratën që e ki dhënë në polici”, me ç’ rast tek e dëmtuara shkakton shqetësim të madh, frikë dhe pasiguri për jetën e saj dhe të vajzës së saj me të cilën jeton”, thuhet në njoftim.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura penale është në fazën fillestare, me qëndrimin e të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, pasi që i njëjti në vazhdimësi e ka shqetësuar dhe frikësuar të dëmtuarën. /Gazeta Enigma/.