Ditën e nesërme, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë takimin me bashkëkombësit shqiptarë në Greqi.
Sipas burimeve nga mediat në Athinë, Policia greke po merr masa shumë të rrepta sigurie për vizitën e nesërme të Ramës në Athinë, e cila do të nisë pas mbërritjes së tij në “El. Venizelos” në orën 8.30-9.00 të mëngjesit.
Qindra punonjës policie (MAT, EKAM, OPKE, DIAS, Siguri, Qarkullim) do të jenë në dispozicion për të siguruar kalimin e qetë të Ramës në vendin ku do të zhvillohet fjalimi dhe për ta mbrojtur atë deri në momentin e largimit.
Fjalimi i tij në Teatrin e Krishtlindjeve do të mbahet rreth orës 11:00, por Rama do të zhvillojë gjatë ditës edhe takime me bashkatdhetarë, anëtarë të partisë së tij dhe biznesmenë, si dhe pritet të shpërndajë broshurat për marrëdhëniet dypalëshe.
Pas përfundimit të takimeve, Rama do të pijë kafe me kolegët e tij në Galatsi, ndërsa në orën 06:00-07:00 pasdite do të shkojë në aeroport për t’u larguar nga Athina.
Rama ka bërë edhe një postim në llogarinë e tij personale në Facebook, ku fton shqiptarët që ndodhen në Athinë apo pranë Athinës të marrin pjesë në tubimin që do të mbajë në Galatsi.
Në postimin e tij, Rama flet për një “moment të rëndësishëm krenarie për të gjithë shqiptarët në Greqi”.
Ftesa shoqërohet me një vizual me Akropolin dhe flamujt e Shqipërisë dhe Greqisë.