Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka takuar sot kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame për Prishtinë, hoxhën Hetem Sopjani.
Në takim është diskutuar për sfidat dhe nevojat e BIK-ut si dhe për forcimin e solidaritetit.”Bashkë me Përparimin dhe bashkëpunëtorë, pata kënaqësinë të takoj kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame për Prishtinë, hoxhën Hetem Sopjani, me bashkëpunëtorë, administratën e Këshillit dhe imamët e Qendrës.
Diskutuam për sfidat reale me të cilat përballen besimtarët dhe komuniteti në Kryeqytet, për nevojat e tyre konkrete, por edhe për rolin e rëndësishëm që institucionet fetare kanë në jetën shoqërore: në forcimin e solidaritetit, ruajtjen e harmonisë dhe kultivimin e respektit e bashkëjetesës ndërmjet njerëzve tanë.
Bashkësitë fetare janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore. Ato janë institucione që ruajnë kujtesën, traditën, identitetin dhe vlerat e një shoqërie që ka ditur gjithmonë të qëndrojë bashkë edhe në kohë të vështira.
Ne besojmë në dialog, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët, për një Kosovë më të bashkuar, më të respektueshme dhe më humane” shkruan Abdixhiku në njoftim.
