Tani e dy vite, Mirjeta Zeka nga Mitrovica konsiderohet e zhdukur, e cila kishte humbur gjurmët ditën kur do të kthehej për në Gjermani me bashkëshortin e saj.
Muhamedali Zeka ka dy vite që jeton në ankth, kjo për arsye se për motrën e tij, Mirjeta Zeka, nuk di asgjë që nga 30 marsi i vitit 2019.
Ajo ishte zhdukur ditën që planifikonte të kthehej në Gjermani me bashkëshortin e saj.
“Me 30 mars vëllai ka qenë për vizitë te motra dhe ka qëndruar te ajo deri rreth orës 23:00. Ata të nesërmen kanë pas për të udhëtuar në Gjermani. Nga ajo ditë ne i kemi shkëputur kontaktet me të dhe nuk dimë gjë”, tha ai për RTV Dukagjinin.
Zeka dyshon se bashkëshorti i motrës që është nga një fshat i Vushtrrisë ka gisht në zhdukjen e saj.
“Me dyshojmë se ai e ka vra motrën dhe e ka fsheh në ndonjë vend kufomën e saj. Është e pamundur prej dy vitesh të mos dëgjohet për së gjalli”, tha ai.
Prokurori i rastit për RTV Dukagjinin ka thënë se hetimet po vazhdojnë por po ka vështirësi në grumbullimin e provave.
“Rasti është paraqitur pas tre muajve nga ngjarja dhe po kemi vështirësi për të siguruar prova”, deklaroi prokurori Nijazi Rexha.
I dyshuar është bashkëshorti i Mirjeta Zekës, e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
“Prokuroria Themelore e Mitrovicës është duke bashkëpunuar edhe me autoritetet gjermane pasi bashkëshorti i personit në fjalë është me shtetësi gjermane”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Njëherit, vëllai i Mirjetës po kërkon ndihmë nga Kryeprokurori Lumezi që të intervenojnë në Prokurorinë e Mitrovicës pasi sipas tij nuk janë duke punuar si duhet.