Dy gazetaret e Radio Televizionit të Kosovës, Arbresha Berisha dhe Edina Avdiu, janë distancuar nga raportimi i RTK-së, e cila citonte një medium boshnjak, që raportonte se dy mediume kosovare janë të financuara nga Serbia, shkruan Gazeta Enigma.
Gazetarja e Dhomës së Lajmeve në RTK, Arbresha Berisha, ka thënë se saktësia është një nga shtyllat jetike të demokracisë, dhe se zotohet se gjatë punës në RTK do të verifikojnë çdo informacion.
Postimi i saj:
#unëdistancohem
Angazhimi ynë si gazetarë ndaj së vërtetës dhe saktësisë është një nga shtyllat jetike të demokracisë. Unë distancohem nga çdo veprim që mund ta dëshmojë të kundërtën.
Marrë si shkas situatën e fundit të krijuar, ne zotohemi se gjatë punës tonë në televizionin publik do të verifikojmë çdo informacion me përpikëri si dhe do të respektojmë të gjitha standartet e gazetarisë. #unedistancohem
Gazetarja e RTK-së, Edina Avdiu, është distancuar nga raportimi i televizionit publik një ditë më parë.
Avdiu ka thënë se ky raportim nuk plotëson standardet e gazetarisë.
Postimi:
#unëdistancohem
Angazhimi im si gazetare në edicionin qendror të lajmeve në Radio Televizionin e Kosovës ka rastisur të filloj më 17 shkurt të vitit të kaluar, në përvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Që 1 vit e 5 muaj e 6 ditë, kam punuar fort, çdo ditë, me të vetmin qëllim, raportimin e drejtë të publikut, fillimisht si qytetare e një shteti të pavarur e demokratik, e pastaj si gazetare.
Për verifikimin e informacioneve ndonjëherë më është rrezikuar edhe jeta.
Por përtej rreziqeve në terren, rrezik më të madh e shoh raportimin që nuk plotëson standardet e gazetarisë.
Andaj me keqardhje distancohem nga ajo që u transmetua mbrëmë në edicionin qendror të lajmeve pa qenë përgjegjëse për të dhe zotohem se do të vazhdoj të punoj me profesionalizëm në shërbim të publikut e demokracisë. #RTK