Edhe dy javë për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

Edhe dy javë për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

Vetëm edhe dy javë, deri më 29 gusht 2025, kanë mbetur për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

Deri më tani, ky proces, i cili ka filluar më 23 korrik, ka ngjallur pak interesim, pasi vetëm rreth 5,500 shtetas të Kosovës nga diaspora janë regjistruar për votim me postë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar të dhënat e fundit nga procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.

“Deri më sot (e premte, 15 gusht, ora 12:00) përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 7,026 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 5,445, ndërkaq janë refuzuar 1,581”, tregoi Elezi.

Sipas tij, “në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës (dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti etj.))”.

Po sipas të dhënave nga KQZ, komuna me më së shumti votues të regjistruar jashtë Kosovës është Suhareka me 526, Deçani me 442, Dragashi 440 dhe Istogu, Gjakova e Klina me mbi 300 votues të regjistruar.

Numri më i madh i votuesve të regjistruar është nga shteti i Gjermanisë (2,767), i pasuar nga ai i Zvicrës (1,121), e të tjera.

Related Articles