Edhe Gjermania i kërkon Serbisë largimin e ushtrisë nga kufiri me Kosovën

Edhe Gjermania i kërkon Serbisë largimin e ushtrisë nga kufiri me Kosovën

Gjermania i ka bërë thirrje Serbisë që të pakësojë numrin e trupave në kufi me Kosovën, edhe këtë madje ta bëjë pa vonesë.

Kështu është komunikuar përmes një postimi nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë, ku ndër tjerash thuhet se eskalimi i mëtutjeshëm mes Kosovës e Serbisë duhet shmangur.

Po ashtu në postim thuhet edhe se, Gjermania së bashku me partnerët e tjerë, janë në kontakt të vazhdueshëm me të dy palët e përfshira.

“Eskalimi i mëtutjeshëm mes Kosovës e Serbisë duhet te shmangur. Është shumë e rëndësishme që Serbia te pakësojë numrin e trupave në kufi me Kosovën pa vonesë. Së bashku me partnerët tanë jemi në kontakt me të dy palët e përfshira. Procesi politik duhet të vazhdojë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Duhet shtuar se gjatë ditës së sotme Radio Evropa e Lirë (RSE), ka raportuar se sot ka vëzhguar lëvizjen e një autokolone ushtarake në jug të Serbisë, nga drejtimi i Vranjës në drejtim të Nishit, afër qytetit të Predejanës.

Këto autokolona siç shihen në fotografitë e publikuar nga RSE, në platformën ‘X’, e njohur si Tëitter, raportohet se mjetet ushtarake serbe largohen, pasi që SHBA, BE kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me situatën në Kosovë.

Po ashtu duhet kujtuar se SHBA’të dhe Bashkimi Europian kanë shprehur shqetësimin e tyre me vendosjen e trupave serbë pranë kufirit me Kosovën.

Në lidhje me këtë koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

Ndërsa një ditë më vonë, kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell, theksoi se BE-ja është shumë e shqetësuar për forcimin e pranisë ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit dhe tha se kjo është “shqetësuese dhe duhet të ndalet menjëherë”. 

Related Articles