Punëtorët e administratës së Kuvendit të Kosovës janë shprehur të pakënaqur me uljen e pagave, që sipas tyre u është bërë më Ligjin për paga në sektorin publik, bazuar në të cilin janë ekzekutuar pagat e muajit shkurt.
Në një reagim dërguar mediave Sindikata e punëtorëve të Kuvendit të Kosovës, ka shprehur shumë vërejtje për, siç thuhet, padrejtësitë e koeficienteve për të punësuarit e Kuvendit të Kosovës të caktuar me Ligjin e Pagave dhe me vlerën e koeficientit të caktuar me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për buxhetin e vitit 2023, me të cilat, thuhet se të punësuarve në Kuvendin e Kosovës u janë ulë pagat.
“Përveç këtij diskriminimi, tani me rastin e ekzekutimit të pagave për muajin shkurt të vitit 2023, në kundërshtim me Ligjin për Pagat, përkatësisht të nenit 41 për shtesën transitore që garanton që në vitin e parë do të jepet kjo shtesë në shumën 100% të diferencës të pagës së re me pagën e mëparshme, të punësuarve të Kuvendit iu janë ulë pagat në shuma variushme për këtë muaj”, thuhet në reagim.
Në këtë reagim u bëhet thirrje, kryetarit të Kuvendit, Kryesisë së Kuvendit dhe ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve që menjëherë ta sqarojnë me shkrim këtë çështje, të ju paguajnë pjesën e pagës e cila duhet ta arrijë pagën të cilën e kemi realizuar para hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, siç theksohet, ashtu siç është e përcaktuar me nenin 41 (shtesa transitor) të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
“Po ashtu, i bëjmë thirrje Kryesisë së Kuvendit që pa vonesa tjera t’i miratoj të gjitha aktet nënligjore që kanë të bëjnë me pagat, shtesat dhe kompozimet për të punësuarit në Kuvendin e Kosovës dhe atë në përputhje me natyrën dhe kushtet specifike të punës të Institucionit më të Lartë të Republikës së Kosovës, aty ku të gjitha dokumentet dhe vendimet e nivelit shtetëror kalojnë dhe procedohen nga stafi i Kuvendit në bashkëpunim me deputetët dhe trupat e Kuvendit. Kërkojmë që të respektohet dinjiteti i punës së stafit të Kuvendit duke ju garantuar atyre së paku mos dëmtimin e tyre në uljen e pagave të cilat i kanë realizuar deri më tani”, thuhet në reagim.