“Edhe unaza e martesës” – Koci: A e dini se çdo mall mbi 300 euro duhet të deklarohet në Doganë?

“Edhe unaza e martesës” – Koci: A e dini se çdo mall mbi 300 euro duhet të deklarohet në Doganë?

Avokati Arianit Koci përmes një statusi ka theksuar se sipas legjislacionit aktual në Kosovës çdo mall që kalon vlerën 300 euro duhet të deklarohet në doganë, nëse ai mall hyn në Kosovë përmes kufirit tokësor, raporton Gazeta Enigma.

Sipas Kocit duhet të deklarohet çdo iPhone apo telefon tjetër mesatar.

“A e dini që thuajse çdo iPhone apo telefon mesatar me të cilin hyni në Kosovë – duhet të deklarohet në doganë? Nëse nuk e keni faturën, ose e keni blerë jashtë Kosovës – e paguani doganën. Po të mos e raportoni, dhe nëse dogana ju ndalon — automatikisht hyni në procedurë për kundërvatje doganore. Në praktikë, kjo nënkupton që telefoni konfiskohet, ndërsa për ta rikthyer duhet të paguani vlerën e plotë që ia cakton dogana, bashkë me taksat përkatëse. E kjo nuk ndalet vetëm te telefonat”, ka shkruar ai.

“Rregulli zbatohet edhe për teshat e shtrenjta që mbani në trup, për çantën, orën apo çdo send tjetër me vlerë. Prandaj, mendoni pak: kujt prej jush nuk i ka ndodhur të ketë me vete një iPhone apo Samsung të ri, një laptop, një setër të mirë dhe një unazë të arit kur ka hyrë në Kosovë? A e keni raportuar çdo herë në doganë? Sipas Doganës, edhe zinxhiri që ta ka falë nëna, unaza e martesës dhe çdo mall tjetër duhet të deklarohen – nëse kalojnë vlerën prej 450 € në aeroport ose 300 € në kufi tokësor. Kjo vlerë, natyrisht, duhet konfirmohet në secilën pikë kufitare”, ka shkruar Koci.

Sipas tij, ky rregull praktikohet edhe njerëzit që nuk jetojnë në Kosovë.

“Për më tepër, ky rregull nuk kufizohet vetëm për rezidentët kosovarë. Ai vlen njësoj edhe për ata që jetojnë jashtë vendit. Sidoqoftë, për mua brenga më e madhe mbetet diskrecioni i doganierit – një e drejtë e paraparë me ligj – për të vendosur kë do të ndalojë në kufi”, ka treguar Koci.

Related Articles