Flamurtari nuk ka në plan të kursehet për të kapur elitën. Në klub janë fiksuar me ngjitjen dhe sidomos kur dihet që Kategoria e Parë sezonin e ardhshëm do të jetë “zjarr”. Drejtuesit “fiksohen” në Kosovë, atje ku kanë në plan të marrin Kreshnik Ukën. 27- vjeçari u shpall golashënuesi më i mirë i Drenicës, ndërsa më herët ka luajtur te Prishtina.
Në Vlorë janë gati për bërë një sforco financiare për ta bindur. Sulmuesit i kanë ofruar një kontratë rreth 6 mijë euro në muaj. Pritet tashmë përgjigjja e kosovarit, nëse do ta pranojë apo jo këtë ofertë.
“Panorama Sport” mëson se kontaktet janë të vazhdueshme me ta dhe po bëjnë çmos që të marrin një “po”. Tani topi ka kaluar në anën e Ukës, i cili duhet të japë një përgjigje. Në Vlorë mendojnë pozitivisht dhe shpresojnë që operacioni të mbyllet me sukses.
GATI TË MBYLLUR
Merkatoja është përqendruar edhe te të huajt. “Sytë” janë tashmë edhe drejt Brazilit. Kanë avancuar bisedimet me Hose Denison Silva dos Santos, i cili e mbylli sezonin me Dinamon. Mesfushori në sezonin 2020- 2021 është aktivizuar edhe te Drenica, ndërsa më herët ka luajtur edhe në Portugali.
Burime pranë klubit pohojnë për gazetën se Denison pritet të vijë në Vlorë brenda 15-ditëshit të parë të qershorit. Bashkë me të pritet edhe një brazilian tjetër, por edhe disa lojtarë cilësorë që janë në dëshirë të vlonjatëve. Këtu i referohemi Abdurraman Fangajt apo Mentor Mazrekajt.
BIE PISTA “ALVESH”
Bie pista e Danilo Alveshit. Orët e fundit braziliani zgjodhi ekipin e ri. Ai do të luajë në Tajlandë. Dëshira e Sinan Idrizit është që sulmuesi të rikthehet një ditë në Vlorë. Mësohet se Alvesh i ka thënë “jo” ofertës vlonjate. Me shumë gjasa rikthimi i shumëpritur do të ndodhë me ngjitjen e Flamurtarit në Superiore.