Ekipi i VAR-it që ishte përgjegjës në ndeshjen Ferizaj – Prishtina, ka dalë me një sqarim lidhur me vonesën e madhe që ishte bërë në pjesën e parë. Arbitri Erdall Zasella ka mbetur para ekranit për më shumë se 15 minuta, por pamja i është vonuar për një situatë që kishte kërkuar sqarim.
“Vonesa në ‘VAR Check’ në ndeshjen Ferizaj – Prishtina tek penalltia e akorduar në të mirë të Prishtinës, ka ardhur si pasojë e këputjes së kabllos së sinjalit nga ana e disa tifozëve të pandërgjegjshëm.
Si rrjedhojë gjyqtari Erdall Zasella nuk ka pasur mundësi ta shikojë rastin në monitorin që është në fushë, përderisa ekipi teknik i FFK-së ka reaguar dhe ka bërë lidhjen e monitorit në fushë me kabllo tjetër të sinjalit nga minibusi”, thuhet në sqarim.
Për këtë vonesë kishte reaguar edhe trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi.