Policia ka arritur të identifikojë me disa persona të dyshuar për trafikimin e tri vajzave dhe ofrimin e shërbimeve seksuale. Njëri prej tyre tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, teksa një tjetër gjendet akoma në arrati.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë Blerim Ismajlin, i cili është ndaluar dhe Ermal Haliti, që ende nuk është kapur, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Trafikim me njerëz”.
Kurse dy të dyshuarit e tjerë janë Mehmet Sejdijaj dhe Agron Meziu, që dyshohet se kanë shfrytëzuar ose mundësuar shërbimet seksuale viktimave të trafikimit.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur për disa muaj me radhë dhe viktima janë tri vajza, të moshave, 17, 19 dhe 21-vjeç, që dyshohet se janë keqpërdorur seksualisht nga të dyshuarit, në Skenderaj.
Teksa rasti po hetohet, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e të dyshuarit të parë, Blerim Ismajlit. I njëjti është dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor do të ushtrohet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.
Edhe Policia e ka konfirmuar rastin, ndërsa s’janë dhënë më shumë detaje.
“Skenderaj, Janar-Prill 2023. Më 08.05.2023 është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e cekur me lartë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja.