Ekskluzive: Krimet Ekonomike ‘godasin’ klubet sportive

Ekskluzive: Krimet Ekonomike ‘godasin’ klubet sportive

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetime të Integruara Financiare ka ndërmarrë një aksion për të hetuar të gjitha klubet sportive në vend, raporton ekskluzivisht Gazeta “Enigma”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Kosovës, Drejtoria e Krimeve Ekonomike ka kërkuar nga të gjitha dokumentacionet e klubeve të cilat kanë përfituar nga ligji i sponzorizimit.

Klubet, të cilat e kanë shfrytëzuar në maksimum këtë ligj, tashmë janë të obliguar që t’i deklarojnë edhe njëherë tjetër kontratat me kompanitë biznesore dhe të gjitha transaksionet bankare.

Sa përfituan klubet sportive gjatë tri viteve të fundit?

Kujtojmë se Ministria e Sportit para pak ditësh e ka publikuar listën e Federatave dhe klubeve sportive që kanë përfituar nga Ligji i Sponsorizimit gjatë vitit 2023.

Por, kjo nuk vlen edhe për Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila, në bazë të raportit zyrtar të sponsorizimit për vitin 2023 nuk e ka përfituar asnjë lëshim të vërtetimit për realizim të marrëveshjeve për sponsorizim.

Federata e Basketbollit prin me 228.096 mijë euro, e përcjellë nga sporti më i suksesshëm në vend, ai i xhudos, respektivisht Federata e Xhudos, që i përfitoi 160 mijë euro nga sponsorizimi.

Federata e Volejbollit është e treta me 122.200 euro, e përcjellë nga Federata e Hendbollit (115.00).

Sa u përket klubeve që patën më së shumti të hyra nga sponsorizimi gjatë vitit 2023, prijnë tri të basketbollit: Peja me 1,372,200 euro përfitime nga sponsorizimi, e përcjellë nga Trepça me 1,143,900 euro dhe nga Sigal Prishtina me 1,106,279 euro.

Më pas, Ballkani është ekipi i parë nga futbolli, respektivisht i katërti në total me 1,000,185 euro.

Tutje vazhdon Golden Eagle Ylli i basketbollit me 868 mijë euro, i përcjellë nga klubet tjera të futbollit: Prishtina (781,300), Drita (627,000), Suhareka (358,326), Dinamo (350,700) e Ferizaj (305,200), të cilat e mbyllin Top 10 të klubeve.

Përpos 2023-tës, klubet përfituan shifra të larta edhe gjatë vitit 2022.

Sipas MKRS, vlera totale e mbështetjes së sportit është mbi 9.1 milionë euro.

Sporti që përfitoi më shumë nga ky ligj ishte padyshim futbolli, i cili përfitoi mbështetje nga bizneset me plot 3,597,245 milionë euro nga 236 vërtetime.

Shifra e fitimeve të klubeve nga Ligji i Sponzorizimit në vitin 2021 ka shkuar përtej shtatë milionë eurove. Vetëm federatat sportive në vend i kanë përfituar mbi një milion euro nga marrëveshjet e sponsorimit.

Prej federatave sportive më së shumti nga marrëveshjet e sponsorimit në vitin e kaluar ka përfituar Federata e Basketbollit e Kosovës.

FBK-ja ka lidhur pesë marrëveshje sponsorimi, që kapin shifrën e 495 mijë eurove. FBK-ja vazhdimisht është shquar për marketingun e zhvilluar dhe për marrëveshjet e shumta të sponsorimit, madje edhe para se ligji të aplikohej. / Gazeta Enigma.

Related Articles