Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ndërhyrë sot në diskutimet në Kuvendin e Kosovës, ku është përfolur për formalizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe e që nga opozita ka pasur edhe kritika e akuza se do t’i jepet eksterritorialitet.
Konjufca ka thënë se një gjë e tillë thuhet vetëm nëse qëllim është të ngarkohet Kosova me diçka që sipas tij s’është e vërtetë.
Ai ka thënë se gjatë qëndrimit në SHBA në muajin prill, ka vizituar Departamentin e Shtetit pikërisht për këtë çështje dhe thotë se ka marrë garancën amerikane që Washingtoni nuk sheh asgjë më shumë sesa plani i Ahtisarit.
Konjufca ka thënë se formalizmi i statusit të Kishës Ortodokse nënkuptohet projektligji që është duke pritur e i cili s’mund të votohet pa Listën Serbe.
“Veç po silleni po deshta diçka. Kjo vetëm nëse e keni me qëllim të keq me ngarku Kosovën me diçka që s’është. Sepse në prill kur isha në Amerikë, për këtë çështje shkova në DASH, për të marrë sqarime për këtë temën që ju po e interpretoni si eksterritorialitet të Kishave. Pytja jem ka qenë e drejtpërdrejt. Dhe e kam marrë garancinë nga DASH që ata s’e kuptojnë këtë çështje asgjë përtej Planit të Ahtisarit. A po kuptoni.. Kur po iu dëgjoj juve me këto eksterritorialitete, me diçka që s’është e vërtetë, kjo është vetëm nëse po doni vet me e bo kur të vini në pushtet. Përndryshe iu kisha lutë me e marrë këtë garanci. Për këtë çështje kam shkuar atje i kam pyetur. Ata thanë krejt çka kuptojmë ne, në kuptim të statusit të kishës, nuk kuptojmë asgjë më shumë se zonat e mbrojtura që i keni pranuar me Ahtisarin. E cka është formalizmi i statusit, që qaj projektligji që o tu prit , që s’po munet me u bo pa Listën Serbe, është që s’ka status të formalizuar Kisha Ortodokse Serbe. Ju lutem për gjithçka që doni mi ngarku Kosovës më shumë se kjo që po them unë. Ju kisha lutë, për gjithcka që mendoni se ka ma shumë, konsultoheni me qata që jam konsultu unë”, ka thënë Konjufca.