Ekstradohet nga Shqipëria i dyshuari për kultivimin e 1259 bimëve kanabis

Ekstradohet nga Shqipëria i dyshuari për kultivimin e 1259 bimëve kanabis

Prokuroria Themelore e Gjakovës ka njoftuar se është ekstraduar në Kosovë N.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i dyshuar për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Panorc të Malishevës.

Sipas njoftimit, thuhet se ndaj tij, Departamenti për Krime të Rënda i PTh të Gjakovës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet N.Sh., nga data e pa vërtetuar deri më datë 19.06.2024, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, në bashkëveprim më të pandehurin O.Sh., kanë kultivuar në tri (3) parcela me rreth 1259 bimë, narkotik të llojit kanabis sativa në vendin e lartcekur të cilat parcela janë identifikuar përmes vëzhgimit me dron nga ajri”.

Prokuroria tha se i pandehuri ka qenë në arrati që nga koha e kryerjes së veprës penale ndërsa është arrestuar me urdhër-arrest ndërkombëtar dhe më pas është ekstraduar nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës. 

Related Articles