Para pak ditësh një letër që përmbante një kërkim falje të tre futbollistëve për situatën e krijuar gjatë grumbullimit në ndeshjen me Qipron, ka zgjuar sërish debat në opinionin publik.
Kësaj radhe aludohej për falsifikim të nënshkrimeve të tre futbollistëve.
Mirëpo lidhur me këtë, në një konferencë për media ka folur Menaxheri i kombëtares së Kosovës, Bajram Shala.
Ai ka hedhur poshtë mundësinë e falsifikimit të nënshkrimeve të Edon Zhegrovës, Arijanet Muriqit dhe Florent Muslijës.
“Ekzistojnë printerat, skanerat…”ka thënë Shala në konferencë për media, duke treguar për mundësitë praktike për të siguruar një letër të tillë me nënshkrime nga tre lojtarët të cilët jetojnë në tre shtete të ndryshme.
“Nuk është asnjë lloj profesionalizmi me u diskutu autenticiteti i nënshkrimeve me njerëz që janë në kamp e që në çdo moment munden me folë…” ka thënë mes tjerash Shala.
Ai tha se këtë mund ta vërtetojnë edhe institucionet përkatëse, por e konsideroi si absurde mundësinë e falsifikimit të nënshkrimit të lojtarëve të cilët tashmë janë në kamp dhe ende pjesë e Kosovës, e të cilët sipas Shalës do të reagonin në çdo moment po ta kuptonin që nënshkrimet e tyre janë falsifikuar. /Gazeta Enigma