Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj ka deklaruar se gjendja pas vërshimeve të fundit në komunën e tij është e rënduar ku edhe ka theksuar se dëmet janë të konsiderueshme në pronat publike, ekonomitë familjare dhe bizneset, raporton Gazeta “Enigma”.
Elezaj njoftoi gjithashtu se një komision do të formohet për vlerësimin e dëmeve dhe se do të kërkohet mbështetje nga institucionet qendrore për kompensimin e dëmeve ekonomike.
Kryetari bëri thirrje për kujdes të shtuar dhe për qytetarët që, në rast nevoje, të raportojnë te shërbimet emergjente të komunës.
“Gjendje e rënduar nga vërshimet në Klinë Edhe në këto orë jemi në terren për të parë nga afër gjendjen pas vërshimeve. Dëmet janë të konsiderueshme në pronat publike, ekonomitë familjare dhe bizneset. Aktualisht jemi duke u marrë me menaxhimin e situatës, e cila paraqitet mjaft e rënduar. Në ditët në vijim do të formohet komisioni për vlerësimin e dëmeve dhe do të kërkohet mbështetje edhe nga institucionet qendrore për kompensimin e dëmeve ekonomike. U bëjmë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe që, në rast nevoje, të raportojnë te shërbimet emergjente të komunës”, ka shkruar Elezaj.
