Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka reaguar pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e tij, lidhur me akuzën për konflikt të interesit.
Elezaj thotë se edhe pse ende nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, ai e ka kuptuar se kjo gjykata e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin gjykata e shkallës së parë kishte shpallur fajtor për vepër penale.
“Duke besuar në sistemin tonë të drejtësisë, në sigurinë juridike që ofron legjislacioni jonë dhe parimet bazë të sistemit të pavarur të drejtësisë, kemi ushtruar mjetet tona ligjore. Si rrjedhojë, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e avokatit tim, z. Kujtim Kërveshi nga shoqëria e Avokatisë “Kerveshi & Partners”, dhe rastin e ka kthyer në rigjykim. Unë shpresoj shumë se Gjykata e Apelit e ka udhëzuar Gjykatën Themelore në atë formë që procesi gjyqësor të bazohet në prova dhe në ligjin e aplikueshëm, gjë e cila në gjykim pranë Gjykatës Themelore në Pejë nuk ka ndodhur”, ka thënë Elezaj.
Njëherit, kryetari i Klinës ka pohuar se beson se drejtësia do të triumfoj.
“Duke besuar se drejtësia do të triumfoj, unë jam i gatshëm të paraqitem para një trupi gjykues profesional e të pavarur, ndryshe gjykimi nuk do të kishte më kuptim. Unë sot ndjehem fitues edhe pse akoma nuk ka një epilog final. Megjithatë, vendimi i Gjykatës së Apelit më ka kthyer besimin në sistemin tonë të drejtësisë dhe shpresoj se në fund do të fitoj drejtësia, gjë për të cilën jam shumë i bindur”, thotë ai.
Elezaj ka shtuar se “unë e mbaj kokën lartë para jush dhe para çdo kujt, sepse nuk kam asnjë arsye të sillem ndryshe, por edhe para drejtësisë, sepse e vërteta është një dhe e pa tjetërsuar sado që atë e lëndojnë dhe e shtrembërojnë kohë pas kohe”.
Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të akuzuarit Zenun Elezaj, por edhe sipas detyrës zyrtare, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 25.01.2021 dhe rasti i është kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje.
I pandehuri Z.E., që është kryetar i Komunës së Klinës, është gjykuar muaj më parë nga ana e gjykatës së shkallës së parë, me dënim më gjobë, në shumën prej katër mijë euro, pasi që është gjetur fajtor për veprën penale “Konflikti i interesit”.