Nga 10.934 vota të individualizuara nga diaspora, 9.610 prej tyre janë aprovuar, ndërsa 1.324 janë refuzuar pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.
Ndërsa, sa i përket votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, Elezi ka thënë se jemi në fazën gati përfundimtare të verifikimit para se të bëhet numërimi i tyre.
“Ka mbetur që të krahasohen votuesit me kusht me qytetarët që kanë votuar në vendvotimet e rregullta, në mënyrë që ta dijmë nëse një person ka votuar dy herë: në vendvotimin me kusht, por edhe në vendvotimin e rregullt. Kjo është vepër penale”, u shpreh ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për miratimin e planit operacional për organizimin e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që do të realizohen nga KQZ për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve.
“Fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, do të jetë 5 ditore, do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor. Për votuesit e regjistruar suksesshëm nga jashtë Kosovës, gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht, KQZ-ja ka vendosur 15 ditë në dispozicion të tyre për të votuar përmes postës. Ky votim fillon më 29 tetor” ka theksuar Elezi.
“Deri para kësaj date, KQZ-ja planifikon të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve, për ta bërë të mundur fillimin e votimit jashtë vendit. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu më 12 nëntor”, tha ai. /Gazeta “Enigma“/