Gjiganti i teknologjisë, Elon Musk, ia ka ofruar të hënën platformën e tij “X”, kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, lirinë që të flasë, teksa përpiqet të ngadalësojë rritjen e të nominuarës së Partisë Demokratike, Kamala Harris.
Biseda përfaqëson kapitull të pazakontë në kampanjën presidenciale që ka përjetuar lëvizje dramatike javëve të fundit pas atentatit ndaj Trumpit dhe tërheqjes së presidentit Joe Biden nga gara për rizgjedhje.
Ish-presidenti Trump tani po përballet me ngecje përballë nominimit të ri të Partisë Demokratike. Gjatë bisedës, siç ka shkruar CNN-i të martën në mëngjes, Musk është përpjekur të përdorë fuqinë e profilit të tij dhe platformën që ta këshillojë Trumpin si të ketë argumente më të fuqishme kundër Harrisit.
“Ajo beson në të qenit e majtë radikale”, ka thënë Trumpi në një moment për demokraten që ka marrë avantazhin në vetëm tri javë si kandidate. Dhe ish-presidenti, që po përpiqet të rikthehet në pushtet, ka pretenduar pa bazë se Bideni është rrëzuar ilegalisht për t’i hapur rrugë Harrisit. “Ajo nuk ka bërë asnjë intervistë që kur nisi i gjithë ky mashtrim, dhe thoni çfarë të doni, ky ishte një grusht shtet. Ishte grusht shtet i presidentit të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai.
Musk është pajtuar me Trumpin se Harrisi është e majtë radikale dhe lavdëroi mysafirin e tij duke i thënë se ishte i fortë dhe se kundërshtarët e tij demokratë ishin të dobët. Duke iu drejtuar “armiqve të SHBA-së”, Musk ka thënë se “a kanë frikë nga presidenti i Amerikës, apo është dikush që nuk e respektojnë dhe s’i frikësohen?”
“Le t’i shohim pamjet e atentatit. Siç e dini, presidenti Trump është sikur thotë ‘mos u ngatërroni me mua’”, ka shpjeguar ai pamjet.
Musk i ka ofruar mbështetje të plotë Trumpit. “Ju jeni rruga drejt përparimit. Dhe mendoj se Kamala është e kundërta”, i ka thënë ai Trumpit.
Musk dhe kandidati republikan patën audiencë prej 1.3 milionë dëgjuesve. Ai ka parashikuar se së paku 100 milionë njerëz do ta shohin përmbajtjen gjatë ditëve në vijim.