Elton Cale: Munishi bën gjithçka për ekipin, duam titullin kampion

Elton Cale: Munishi bën gjithçka për ekipin, duam titullin kampion

Elton Cale padyshim se ka qenë një nga transferimet më të bujshme në merkaton e dimrit në Superligën e Kosovës në futboll.

Futbollisti 33 vjeçar ka kaluar nga Tirana në klubin e Gjilanit – ku synon që pas titullit në Shqipëri, të shijojë të njëjtin sukses edhe në elitën e futbollit kosovar.

Për brazilianin që është hera e parë që luan në futbollin kosovar, por thotë se është pritur mirë dhe se është përshtatur shpejtë.

“Ndihem mirë, lojtarët më kanë ndihmuar të përshtatem, ka qenë gjithçka mirë”, tha fillimisht Elton Cale për ‘GazetaBlic Sport’.

Sulmuesi tha se ndihen mirë që bashkë me Gjilanin janë shpallur kampion vjeshtor, por thotë se ajo që ka rëndësi është të ruajnë pozicionin në tabelë deri në vitin 2022, më saktësisht deri në muajin maj, kur edhe përfundon kampionati 2021/22.

“Ne jemi të lumtur që kemi luajtur ndeshjet në një nivel të lartë dhe jemi në vendin e parë në dimër, është mirë për ekipin dhe tifozët, por ne e dimë se duhet të jemi numër një në maj”, vazhdoi braziliani.

Sa i përket futbollit në Kosovë, Cale potencon se fushat nuk janë shumë të mira dhe kjo i pengon shumë futbollistëve.

“Futbolli këtu në Kosovë dhe shumë fizik për fat të keq nuk kemi fusha të mira që të mund t’u tregojmë tifozëve një futboll më interesant dhe cilësor”, shpjegon 33 vjeçari.

Futbollisti flet edhe për trajnerin e tij, Ismet Munishin, për të cilin thotë se tekniku i tij bën gjithçka për ekipin.

“Për trajnerin Ismet Munishi mund të them se ai e di shumë mirë se si është futbolli në Kosovë, njeh shumë mirë lojtarët që ka dhe di kur duhet t’i përdorë, ai bën çmos që atmosfera të jetë e mrekullueshme”, zbulon Cale.

Në fund, Cale thotë se Gjilani do të luftojë deri në fund për t’u bërë kampion, por deri atëherë duhet shumë punë.

“Për të qenë kampion, siç e thashë në maj, kemi shumë punë, sigurisht nëse do të vazhdojmë të punojmë fort së bashku dhe sigurisht me ndihmën e Zotit, do të jemi të lumtur në fund”, përfundoi braziliani./Gazeta Enigma/

Related Articles