Emigrantët shqiptarë këshillohen t’i nxjerrin dhëmbët për t’i shpëtuar dëbimit nga Britania

Emigrantët shqiptarë këshillohen t’i nxjerrin dhëmbët për t’i shpëtuar dëbimit nga Britania

Emigrantët shqiptarë janë këshilluar të nxjerrin dhëmbët për t’i shpëtuar dëbimit nga Britania e Madhe, ka zbuluar “The Telegraph” në disa biseda që janë regjistruar në rrjetin social TikTok.

Katër emigrantë shqiptarë në Britani në një video live në TikTok diskutuan mënyrat se si mund të shmangej dëbimi duke u arratisur nga Qendra e Largimit të Emigracionit, “Colnbrook”, në Heathrow, ku po mbahen para se të depërtohen drejt Shqipërisë.

Në videon në TikTok, katër emigrantët shqiptarë flasin në telefon nga dhoma në qendrën e emigracionit me një shqiptar tjetër që pretendon se kishte arritur të arratisej nga kjo qendër në vitin 2018.

Ai dëgjohet duke i këshilluar ata që të marrin në konsideratë nxjerrjen e dhëmbëve në mënyrë që të transferohen në spital, nga ku do të ishte më e lehtë arratisja. Nuk ka asnjë provë që kjo taktikë ka funksionuar.

Katër shqiptarët duket se kanë futur ilegalisht telefonin në qendrën e emigracionit. Dyshohet se kanë paguar 500 funte për këtë qëllim.

“Colnbrook” është një nga shtatë qendrat e largimit të emigracionit të operuara nga Ministria e Brendshme britanike nga e cila deportohen emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët e huaj.

Rreth 12 mijë shqiptarë shkuan në Britaninë e Madhe me varka të vogla përgjatë Kanalit në vitin 2022 përpara se shteti britanik dhe ai shqiptar të negocionin për të frenuar emigrantët e paligjshëm. Për pak më shumë se një vit, 3 mijë shqiptarë u depërtuan në vendin e tyre.

Mësohet se katër shqiptarët e filmuar në TikTok janë kriminelë të dënuar.

Ata përdorën llogarinë nën emrin Xhovani, teksa diskutonin taktikat e arratisjes me shqiptarin tjetër i cili kishte pseudonimin “The Sting”. Ky i fundit mburrej me arratisjen e supozuar në vitin 2018.

Pasi flet për strukturën dhe sigurinë në qendrën e emigracionit, “The Sting” u thotë atyre: “Si djem të rinj, ju keni paguar shumë para për të hyrë në Britani dhe nuk është aspak mirë të dërgoheni në Shqipëri. Më lejoni t’ju tregoj një truk tjetër. Hiqni një nga dhëmbët tuaj, kështu që ata do t’ju dërgojnë në spital”.

“The Sting” më tej u shpjegon atyre edhe mënyra të tjera për t’u arratisur, siç është “punë vullnetare” për largimin e mbeturinave. Ai u thotë katër shqiptarëve që të marrin besimin e rojeve të sigurisë duke larguar mbeturinat për disa ditë me radhë. “The Sting” u jep edhe ide të tjera.

Më pas njëri nga katër shqiptarët ndërhyn duke thënë se diskutimet do të vazhdojnë në mënyrë private.

Nuk ka asnjë të dhënë se një shqiptar u arratis nga “Colnbrooku” në vitin 2018. Tetë shqiptarë ishin në mesin e 13 personave që u arratisën nga një tjetër qendër e emigracionit në vitin 2023, e quajtur “Yarl’s Wood”.

TikToku ka thënë se çdo promovim i aktiviteteve kriminale ishte i ndaluar sipas udhëzimeve të komunitetit.

“Ne mbështetemi te autoritetet përkatëse për të identifikuar dhe na njoftojnë për llogaritë që përdoren nga burgjet ose qendrat e paraburgimit në kundërshtim me ligjet përkatëse. Kur të njoftohemi, ne shqyrtojmë dhe do të ndërmarrim veprimet e duhura nëse kemi informacion të mjaftueshëm që tregon shkelje të ligjeve vendore”, thuhet në njoftim.

Autoritetet në Britani kanë thënë se asnjë person nuk është arratisur nga qendrat e emigracionit kohëve të fundit.

“Stafi është plotësisht i trajnuar dhe ekzistojnë protokolle strikte për të garantuar sigurinë”, kanë thënë ata.

Related Articles