Rreth 35 për qind të premtimeve ende nuk kanë filluar të zbatohen nga kryetarët e komunave të Kosovës deri në qershor të këtij viti.
Ndërkaq, 26 për qind e premtimeve janë përmbushur, 16 për qind janë gjysmë të përmbushura, derisa 23 për qind prej tyre kanë filluar të realizohen.
Kështu bëri të ditur Instituti GAP në një konferencë për media derisa prezantoi të dhënat e përmbushjes së premtimeve nga komunat e Kosovës.
Aty u tha se arsimi, kultura, ekonomia dhe shërbimet publike janë në fokus të komunave me më së shumti premtime të realizuara, derisa urbanizmi dhe infrastruktura janë lënë “pas dore” nga kryetarët në përmbushjen e premtimeve.
Drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Agron Demi, tha se ndër vite janë rritur premtimet e kryetarëve, pasi sipas tij, gara për mandat është shumë e ngushtë.
Ndërkaq, hulumtuesi nga Instituti GAP, Bekim Salihu, tha se komunat e Kosovës kanë realizuar 26 për qind të premtimeve të tyre, derisa 35 për qind ende nuk kanë filluar të përmbushen.
Tutje, Salihu tha se numri më i madh i premtimeve që janë përmbushur nga komunat i përkasin fushës së arsimit dhe kulturës, duke lënë mbrapa më një numër të vogël ato që i përkasin fushës së infrastrukturës dhe urbanizmit.
Sipas raportit, Komuna e Prishtinës, nga 206 premtime të dhëna, i ka përfunduar 29 prej tyre, derisa 85 prej tyre nuk kanë nisur ende.
Po ashtu, edhe Komuna e Gjakovës, nga 35 premtime të dhëna deri në qershor të këtij viti i ka realizuar vetëm 6 prej tyre, ndërkaq 14 prej tyre listohen si të pa filluara.
Ndërkaq, komuna e Pejës, nga 25 premtime të dhëna, vetëm 3 prej tyre ka arritur që t’i përmbushë, e që 8 të tjera nuk janë filluar ende realizimin e tyre.
Instituti GAP njofton se gjatë këtij viti pritet që të bëhen edhe dy përditësime të tjera, sa i përket prezantimit të të dhënave mbi progresin e kryetarëve të komunave të Kosovës në përmbushjen e premtimeve zgjedhore.