Minatorët e Trepçës do të protestojnë të enjtes para objektit të Qeverisë, pasi që atyre nuk iu janë ekzekutauar pagat për më shumë se dy muaj.
Kjo u bë e ditur nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës.
Sindikata tha se protesta do të jetë paqësore, “përmes së cilës do t’i shprehim pakënaqësitë për padrejtësitë e vazhdueshme, ajo për mosrealizimin e pagave për minatorët tash e dy muaj”.
Protesta do të mbahet ora 12:00. Marshimi do të fillojë nga sheshi “Zahir Pajaziti”, sipas njoftimit.
“Kjo protestë reflekton kërkesën e vetme të minatorëve, e që është pagesa e pagave të papaguar për gati tre muaj”, thuhet në njoftim.
Më tej, sindikata tha se situata e minatorëve është rënduar tej mase, e ku sipas tyre, mosekzekutimi i pagave i ka dërguar minatorët në një situatë krize për ekzistencë.
“Andaj, si mjet për të kërkuar bukën e gojës për vete dhe familjen e tyre, ka mbetur të protestuarit si mjet ligjor dhe demokratik”. /Gazeta Enigma