Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka arritur të ruajë barazimin në minutat shtesë të ndeshjes, duke humbur 1:2 në miqësoren ndaj Spanjës. “Kuqezinjtë” treguan paraqitje të mirë para një superfuqie si Spanja. Pas ndeshjes, Luis Enrique lavdëroi skuadrën e Shqipërisë dhe veçoi sulmuesin Armando Broja.
“E prisja një ndeshje të vështirë, e thamë që para ndeshjes. Ishte ashtu siç e prisnim, një skuadër që luan shumë mirë taktikisht dhe di të mbrohet mirë. Kemi parë ndonjë ndeshje me parë me Anglinë, në eliminatoret e fundit. Keni një lojtar para shumë të mirë si Broja. E prisja shumë të vështirë, se vuajtëm kundërsulmin ndaj nuk ishte aspak e lehtë”, tha Enrique.
Kujtojmë se rezultatin i pari e zhbllokoi sulmuesi i krahut Ferran Torres, i cili kaloi Spanjën në epërsi prej 1:0 në minutën e 75’ të ndeshjes. Gëzimi i vendasve nuk zgjati shumë, ku pas një gabimi nga portieri dhe mbrojtja spanjolle, sulmuesi Myrto Uzuni barazon rezultatin për Shqipërinë në minutën e 85’ të ndeshjes. Shqipëria ishte shumë pranë një barazimi historik me njërën nga kombëtaret më të forta në botë, por një gol i Dani Olmos në minutën e 90’ të ndeshjes bëri që Spanja të shënojë fitore me rezultat 2:1 kundër “Kuqezinjve”. Pas humbjes, Shqipëria do ta zhvillojë miqësoren e fundit të këtij muaji kundër Gjeorgjisë më 29 mars.