Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka lartësuar veprën e policit të ndjerë Enver Zymberit, dhe të tjerëve të cilët ranë heroikisht gjatë detyrës së tyre zyrtare.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar veprën dhe rënien e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberit.
Ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Zymberi ra heroikisht për ta mbrojtur sovranitetin e vendit.
“Sot, kujtojmë dhe nderojmë Heroin e Kosovës, policin shembullor Enver Zymberi. 11 vjet më parë, Enveri ra heroikisht në krye të detyrës, duke mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit”, ka shkruar Krasniqi.
Po ashtu, kreu i PDK-së, ka përmendur edhe Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë të cilët humbën jetën e tyre gjatë detyrës zyrtare.
“Në nderim të Enverit, sot shënojmë edhe Ditën e të gjithë policëve të Kosovës të rënë në detyrë që prej themelimit të Policisë sonë”.
“Ne, si qytetarë dhe si shtet, u jemi përgjithmonë mirënjohës Policisë për punën e palodhshme, sigurinë dhe mbrojtjen që na ofrojnë, ditë dhe natë, në secilën ditë të vitit. Lavdi Enver Zymberit dhe të gjithë policëve të rënë në detyrë”, shkroi ai.