Osmani nga Kuvendi: Sakrifica e familjes Jashari në Prekaz ndryshoi drejtimin e historisë së Kosovës

Osmani nga Kuvendi: Sakrifica e familjes Jashari në Prekaz ndryshoi drejtimin e historisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e sotme të Kuvendit ka kujtuar Epopenë e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), raporton Gazeta Enigma.

Osmani ka thënë se muaji mars, i cili në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, për shqiptarët u bë muaj i përballjeve që përcaktuan rrjedhën e historisë.

Sipas saj, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz u bashkuan qëndresa, sakrifica dhe heroizmi, kur komandanti i UÇK-së Adem Jashari qëndroi në kullën e familjes së tij së bashku me familjarët, duke zgjedhur sakrificën para dorëzimit dhe lirinë para frikës.

Ajo theksoi se gjatë atyre tri ditëve marsi u shndërrua në muaj të epopesë dhe sakrificës që ringjalli një komb të tërë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i qëndresës.

“56 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri – kushtrim që zgjoi Drenicën, Kosovën dhe mbarë botën”, ka thënë Osmani.

Presidentja shtoi se Epopeja e Marsit nuk është vetëm kujtesë emocionale, por një akt themelues i Republikës së Kosovës, pasi nga Prekaz nisi, siç u shpreh ajo, “orteku i lirisë” që nuk u ndal më.

Related Articles