“Ata duan që ne të themi se Hamasi është një organizatë terroriste. Jo, nuk është një organizatë terroriste. Ata janë një grup njerëzish që po luftojnë për atdheun e tyre”, tha Recep Tayyip Erdogan sot, duke folur para gazetarëve në avionin presidencial, gjatë kthimit nga Riadi dhe sesionit të përbashkët të jashtëzakonshëm të Ligës Arabe-Organizata e Bashkëpunimit Islamik.
Erdogan theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa kundër “masakrës” të kryer në Gaza nga forcat ushtarake izraelite, duke akuzuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mosveprim.
“Izraeli ka humbur mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare pas sulmeve të fundit në Gaza. Edhe pse qeveritë e vendeve të ndryshme janë në garë për të shprehur mbështetjen për qeverinë izraelite, sipas ndjekjeve të tyre imperialiste, në sytë e komunitetit botëror Izraeli është tani një vend që vret foshnjat”, tha presidenti turk, duke shpjeguar se vendi i tij është gati për të diskutuar dhe ndërmarrë veprime me shtete të tjera si Irani për t’u siguruar që masakrimi dhe vdekjet e civilëve në Gaza t’i jepet fund.
“Kjo luftë do të bëhet një përballje mes së mirës dhe së keqes, gënjeshtrës dhe së vërtetës, shtypësit dhe të shtypurit”, shtoi Erdogan.
Ushtria izraelite tha sot se ishte gati të evakuonte foshnjat nga spitali më i madh i Gazës sot, ku zyrtarët palestinezë thanë se dy të porsalindur kishin vdekur dhe dhjetëra të tjerë ishin në rrezik pasi gjeneratorëve të spitalit u mbaruan karburanti dhe luftimet e ashpra u ndezën në zonë./abcnews.al