Recep Tayyip Erdogan dëshiron që anijet e ngarkuara me grurin rus dhe atë ukrainas të vijojnë rrugëtimin përmes Bosforit.
Presidenti turk do të flasë për këtë me homologët Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky në ditët e ardhshme, në përpjekje për të rikthyer Rusinë në marrëveshjen e eksportit.
Moska u tërhoq nga akordi në fjalë pas një sulmi ndaj flotës së saj në Sevastopol, për të cilin akuzon Ukrainën.- Advertisement –
Ndërmjetësimi i Erdogan ishte jetik për arritjen e kësaj marrëveshjeje humanitare, e nënshkruar nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Ajo zhbllokoi eksportin e drithërave më 22 korrik, pas bllokimit që ishte bërë në ditët e para të luftës në Ukrainë.
Falë akordit, Rusia dhe Ukraina kanë eksportuar rreth 10 milionë ton drithëra, duke lehtësuar krizën e urisë në shumë vende dhe duke sjellë rënien e çmimeve në mbarë botën.
Sipas OKB-së, në vetëm 3 muaj marrëveshja që tani është në rrezik mund të kishte parandaluar rënien në varfëri të rreth 100 milionë njerëzve.
Ndërkohë, tre anije të tjera me grurë u nisën këtë mëngjes nga portet ukrainase duke u drejtuar për në korridorin humanitar në detin e Zi.