Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përbën “kërcënimin më të madh” për sigurinë në Lindjen e Mesme.
Ky koment erdhi gjatë një bisede telefonike me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, dhe u shpërnda përmes një postimi nga Presidenca turke në rrjetin social X.
“Netanyahu ka treguar edhe një herë se është kërcënimi më i madh për sigurinë e rajonit,” tha Erdogan gjatë bisedës me udhëheqësin e Katarit.
Sipas postimit zyrtar, Erdogan theksoi se ka angazhuar kontakte diplomatike intensive lidhur me përplasjet që kanë shpërthyer pas sulmeve izraelite ndaj Iranit.
Ai po ashtu tha se do të vazhdojë përpjekjet për të ndërprerë spiralen e dhunës që ka përfshirë rajonin.
Presidenti turk shtoi gjithashtu se sulmet izraelite nuk duhet të shpërqendrojnë vëmendjen nga kriza humanitare dhe aktet që ai i quan gjenocid në Gaza.
Ai paralajmëroi se përpjekjet për të zgjidhur këtë situatë nuk duhet të lejojnë që këto incidente të përfshijnë edhe Sirinë, duke rritur kështu rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal.