Erdogani e kundërshton vendimin e SHBA-së për armë me rreze të gjatë për Ukrainën

Erdogani e kundërshton vendimin e SHBA-së për armë me rreze të gjatë për Ukrainën

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e kundërshton vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë raketat amerikane me rreze të gjatë, duke thënë se do ta ndezë konfliktin edhe më shumë, tha zyra e tij të mërkurën.

Të martën, Ukraina i përdori raketat amerikane me rreze të gjatë, ATACMS, për të kryer sulme në tokën ruse, duke e shfrytëzuar lejen që administrata në largim e presidentit amerikan, Joe Biden, ia dha në ditën e 1.000-të të luftës.

Në ditën e njëjtë, presidenti rus Vladimir Putin e ndryshoi doktrinën bërthamore të Rusisë, duke e ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore nga Moska si përgjigje ndaj sulmeve nga një armik që përdor armë konvencionale.

“Hapi i Bidenit do të interpretohej si lëvizje për ta ndezur luftën dhe për t’u siguruar që ajo nuk mbaron kurrë, por vetëm përhapet”, tha Erdogani për gazetarë në avion duke u kthyer në Turqi nga Brazili, ku mori pjesë në samitin e G20-ës.

“Ky hap, jo vetëm që do ta përshkallëzojë konfliktin, por do të nxisë përgjigje ma të fuqishme nga Rusia”, tha ai, duke u bërë thirrje Moskës dhe Kievit të vetëpërmbahen.

Turqia, anëtare e NATO-s, thotë se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, dhe e ka dënuar pushtimin rus, si dhe i ka dhënë Kievit mbështetje ushtarake.

Por, Turqia, fqinj i Rusisë dhe Ukrainës i Detin e Zi, i kundërshton gjithashtu edhe sanksionet e Perëndimit kundër Moskës, me të cilën ka marrëdhënie të rëndësishme në fushat e turizmit, mbrojtjes dhe energjisë.

Related Articles