Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka dalë fuqishëm në mbrojtje superyllit të Portugalisë, Cristiano Ronaldo. Erdogani ka insistuar se Ronaldo ka qenë i penalizuar për arsye politike në Kupën e Botës “Katari 2022”, ndërsa e ka krahasuar portugezin me Lionel Messin.
Sipas Erdoganit, Ronaldo u la jashtë formacionit bazë të Portugalisë në ndeshjet e fundit për shkak të “ndalimit politik”.
Presidenti turk ka pretenduar se një gjë e tillë ndaj Ronaldos është bërë me qëllim të caktuar, duke pasur parasysh se 37-vjeçari gjithmonë e ka mbrojtur dhe vazhdon ta mbrojë kauzën e Palestinës.
“Ata e tretën Ronaldon. Për fat të keq, ata ia vunë një ndalim politik”, ka thënë Erdogani gjatë një fjalimi në provincën Erzurum. “Ta inkuadrosh një lojtar sikurse Ronaldo në 30 minutat e fundit ishte diçka që e shkatërroi psikikisht dhe ia mori gjithë energjinë. Ronaldo është dikush që gjithmonë i ka dalë pro kauzës së Palestinës”.
Ronaldo në dy ndeshjet e fundit të Portugalisë në Botërorin e Katarit u la në bankën e rezervistëve. Ai u inkuadrua në pjesën e dytë në ndeshjen çerekfinale ndaj Marokut, të cilën Portugalia u humbi 1:0 dhe u eliminua nga Botërori. Ronaldo ishte rezervist edhe në 1/8 e finales, ndeshje të cilën Portugalia e fitoi me rezultatin e thellë 6:1 kundër Zvicrës.
Humbja nga Maroku dhe eliminimi në çerekfinale bënë që Ronaldo mos të përmbahet nga lotët derisa u largua nga fusha për të shkuar në zhveshtore. Në fakt kjo mund të jetë edhe paraqitja e fundit e Ronaldos në Kupën e Botës. Ai është bërë lojtari i vetëm që ka shënuar në pesë edicione të turneut më të madh të futbollit.
Në fakt, Ronaldo asnjëherë nuk ka bërë deklarata publike për konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës, me gjithë disa raportime dhe fotografime të falsifikuara, të cilat postoheshin në internet, shkruan “Marca”.
Rrëfimi që qarkullon më së shumti në lidhje me këtë çështje është se Ronaldo ka dhënë donacion 1.5 milionë euro për palestinezët, pasi e ka shitur përmes ankandit një “Këpucë të Artë” në vitin 2019. Kjo është mohuar kategorikisht më vonë nga kompania që e menaxhon portugezin. Edhe një fotografi e Ronaldos duke e mbajtur një pankartë në të cilën shkruante “Së bashku me palestinezët”, në gjuhën spanjolle që ishte shpërndarë në internet, por që më vonë doli se ishte e falsifikuar. Ronaldo mesazhin e kishte shkruar për viktimat në Spanjë pas tërmetit të vitit 2011.
Ronaldo ka një fotografi ku shihet me shallin e Palestinës, por ai shall përfaqësonte Federatën e Futbollit të Palestinës dhe portugezi ishte përkrah presidentit të këtij institucioni, Jibril Rajoub. Po ashtu, Ronaldo është takuar edhe me disa ministra të Izraelit dhe ka një fotografi ku ia dhuron fanellën Israel Katzit, ish-ministrit të Jashtëm izraelit.
Erdogan ka folur edhe për të ardhmen e Ronaldos. Ka thënë se ai do ta vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite, te skuadra Al-Nassr.
Ditët e fundit ka pasur raportime se Ronaldo në parim ka arritur marrëveshje me ekipin saudit, i cili i ka ofruar pagë vjetore prej 200 milionë eurosh. Ronaldo është lojtar i lirë pasi Manchester Unitedi ia shkëputi kontratën shkaku i një interviste ku kishte kritikuar ashpër ekipin anglez dhe trajnerin Erik ten Hag.
“Sipas informatave që i posedoj, mund të them se Ronaldo do të shkojë në Arabinë Saudite”, është shprehur Erdogani, i cili ka shtuar se rrugën e njëjtë do ta ndjekë edhe Kylian Mbappe, por në fund të karrierës.