Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur të enjten në Prokurorinë e Posaçme, ku është marrë në pyetje për më shumë se pesë orë në kuadër të një hetimi për korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendor, raporton Enigma.
Pak ditë më parë në Prokurori ka qenë dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, në zyrat e së cilës u zhvilluan kontrolle në fillim të këtij muaji ndërsa iu sekuestrua edhe telefoni.
Në ndryshim nga pranvera, kur ai qëndroi më shumë se 7 orë, për rastin e inceneratorit të Tiranës, sot, ai evitoi të lëshonte deklarata, duke njoftuar se do të flasë ne mbledhjen e Këshillit bashkiak pasdite.
Mësohet se marrja në pyetje e ish kryebashkiakut, është bërë në kuadër të një procedimi penal të regjistruar këtë vit, për “Korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendor”. Ndaj Veliajt nuk ka akuzë.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet e deritanishme “konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me kryetarin e Bashkisë Tiranë, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë”.
Po ashtu, nga aktet gjyqësore, është mësuar se sipas Prokurorisë, “janë evidentuar veprime konkrete të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të kryetarit të Bashkisë”.