Këngëtari Eroll Muratit ka folur rreth prentedimeve të ngritura ndaj tij, se kishte mashtruar qytetarët me pasaporta sllovene.
Ai deklaroi për Nacionale se “e detyruan fajdexhinjtë nga Gjilani të mashtronte qytetarët me viza”.
Madje ai thotë se ia morën rreth 2 milionë euro atij dhe vëllait të tij.
Për këtë gjë, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur tashmë aktakuzë ndaj Eroll Muratit për veprën penale “mashtrim”.
Bazuar në aktakuzë i dëmtuari Fatmir Z., ka dëshmuar se fillimisht Murati i kishte kërkuar 15 mijë franga zvicerane në këmbim të pasaportës sllovene, por meqë i dëmtuari dhe i pandehuri vinin nga i njëjti qytet, çmimin ia kishte zbritur për 6 mijë franga.
I dëmtuari në Polici kishte deklaruar se kishte dëshmitar ish-shefin e tij, Samet B., në momentin kur Eroll Murati ia mori paratë dhe i premtoi pasaportën sllovene.
Fatmir Z. kishte deklaruar se paratë i kishte marrë nga Kosova dhe ia kishte dërguar përmes një banke të shpejtë vëllai i tij në emër të shefit Samet B.
Një rrëfim pak më ndryshe në Polici e kishte dhënë Eroll Murati.
Këngëtari kishte pranuar se ia kishte marrë 9 mijë e 500 franga Fatmir Z., i cili punonte si berber, dhe i kishte thënë atij se do t’ia siguronte një pasaportë, por sipas tij, këtë e kishte bërë pasi që ishte keq me para.
Murati thotë se e përdori si kamuflim punën e pasaportave, pasi kishte marrë para me fajde dhe duhej t’i paguante ato.
Ashtu si në Polici, edhe në Prokurori këngëtari është zotuar se do t’ia kthente paratë Fatmirit, por prapë se prapë, ishte arsyetuar se u detyrua nga fajdexhinjtë ta bënte një gjë të tillë.
Aktakuza për këtë rast është ngritur më 13 shkurt të këtij viti nga Prokuroria Themelore në Gjilan, dhe rasti është duke u trajtuar në Gjykatën Themelore të këtij rajoni.