I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për mediumin serb N1, ka thënë se fillimi i përmirësimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër.
Ai ka theksuar se duhet të dyja vendet, Kosova dhe Serbia duhet të punojnë që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Escobar është shprehur se nuk duhet të thuhet që Kosova është Serbi, por Kosova dhe Serbia janë Evropë.
“Duhet të lëvizim nga narrativa Kosova është Serbi dhe të kalojmë në Kosova dhe Serbia janë Evropë. Kështu që ju keni një të ardhme së bashku. Po largohemi shumë shpejt nga problemet e viteve nëntëdhjeta dhe po i afrohemi mundësive që ofron shekulli XXI. Shekulli i XXI-të do të jetë një shekull i mundësive ekonomike për këtë rajon. Një shekull në të cilin Ballkani Perëndimor do të bëhet një gjenerator i rritjes për të gjithë kontinentin evropian”, ka deklaruar emisari amerikan.
Escobar, i ka lavdëruar takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, duke thënë se ishin takime të mira e profesionale.
“Duhet të them se takimi mes presidentit (Aleksandar) Vuçiq dhe kryeministrit (Albin) Kurti ishte vërtet i mirë, shumë profesional dhe i qetë. Ishte inkurajuese të shihej ai nivel i bisedës në praninë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell dhe zotit Lajçak”, tha ai.
Emisari amerikan, beson që Kosova dhe Serbia do ta gjejnë një zgjidhje dhe situata nuk do të tensionohet sikurse me 31 korrik.
“Gjatë vizitës sime në Prishtinë, Mitrovicë dhe Beograd, kam krijuar përshtypjen se të gjitha palët janë të përkushtuara për të gjetur një zgjidhje paqësore për këtë krizë. Dhe ky është mesazhi që do t’i dërgoj Uashingtonit: besoj se të dyja palët do të gjejnë një zgjidhje kompromisi që do t’i mundësojë popullit të Kosovës të jetojë në paqe”, tha Escobar.
Ndryshe, Escobar gjatë ditës së djeshme ka pasur takim me presidentin serb, Vuçiq si dhe ditë më parë me liderët e institucioneve tona si dhe partitë opozitare. Megjithatë, ai nuk e ka takuar minoritetin shqiptar që jeton në Serbi.