Escobar: Serbia të nxjerrë para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë

Escobar: Serbia të nxjerrë para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë

Emisari amerikan, Gabriel Escobar pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, në një konferencë për media tha se Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë autorët e sulmit terrorist në Banjskë.

Emisari amerikan tha se me presidenten Osmani folën për situatën e sigurisë, teksa tha se SHBA-ja është e shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Kosovë.

“Jemi  shumë të shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit dhe i bëjmë thirrje Serbisë që të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari të plotë për atë sulm”, tha Escobar para mediave.

Për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, foli në mbledhjen e Qeverisë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurti tha se veprimet destabilizuese të Serbisë, janë edhe  pasojë e mosndëshkimit për rolin e saj në agresionin ndaj Kosovës.

Kurti  po ashtu tha se pesë ditë pasi nënkryetares së Zveçanit iu dogj prona private, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

“Po në këtë muaj në ditën ndërkombëtare të grave, një grua nga komuniteti serb në Kosovë, u bë cak i elementeve e grupeve kriminale, Natasha Tomaniq 8 marsin e nisi me lajmin se pronës së saj private i është vënë zjarri. Provat e grumbulluara nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes flasin për zjarrvënie të qëllimshme. Dëmi financiar llogaritet të jetë rreth 40 mijë euro. Por qëllimi i dëmit nuk ishte financiar, por frikësimi dhe terrori ndaj nënkryetares Tomashiq  dhe serbëve që duan integrimin në institucionet e Kosovës. Pavarësisht se bëhet fjalë për një grua nga komuniteti serb që ka pozitë publike heshtja e komunitet ndërkombëtar edhe 5 ditë pas sulmit sa vjen e bëhet më shurdhuese.

Një heshtje e tillë është sa dekurajuese, aq edhe inkurajuese për agresorin sepse sulmi ndaj Tomaniq nuk ndodhi në vakum, ndaj njëjtë siç pamjet e kriminelit Radoiçiq duke terrorizuar komunitetin serb dhe pastaj takimin me ambasadorin e Serbisë në SHBA, po ashtu nuk ndodhën në vakum. Në njërën anë këto paraqesin përpjekjen e vazhdueshme të Serbisë në bashkëpunim me Rusinë për destabilizim të Kosovës dhe rajonit, por janë edhe pasojë direkte e mosndëshkimit të Serbisë për mosndëshkimin dhe sponsorimin e sulmit paramilitar terrorist në Banjskë. Radoiçiq është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi, Nga 24 shtatori kemi kërkuar të marren masa për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës. Deri sot Serbia s’është përballë me asnjë pasojë për sulmin terrorist pa çka se përfshirja e saj është bërë e njohur publikisht dhe botërisht”, tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë. 

Related Articles