Emisari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel dhe Aneksi i Implementimit në Ohër kanë qenë hapa të mëdhenj drejt paqes dhe në atë se si do të zhvillohet tutje raporti në mes të dy shteteve.
Escobar, shtoi se Vuçiq dhe Kurti kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre për të zgjidhur fatin e Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës.
“Siç vuri në dukje Këshilltari, një pengesë e madhe për paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor është marrëdhënia e tensionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e lehtësuar nga BE-ja mbi Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve dhe aneksi i zbatimit të saj, të rënë dakord në shkurt dhe mars, ishin hapa të mëdhenj drejt vendosjes së paqes dhe parashikueshmërisë në marrëdhënie. Zbatimi është duke u zhvilluar. Më 2 maj, presidenti serb dhe kryeministri i Kosovës filluan diskutimet për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe dhe rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të zgjidhur fatin e Personave të Zhdukur për të nxitur pajtimin dhe paqen.”, ka thënë Escobar.
Ai ka përmendur udhëtimet e shpeshta në rajon në përkrahje të dialogut dhe ka theksuar se SHBA mbetet e angazhuar që Kosova dhe Serbia të përmbushin të gjitha detyrimet sipas marrëveshjeve të dialogut.
“Unë kam udhëtuar vazhdimisht në Bruksel dhe në të gjithë rajonin për të mbështetur këtë proces. Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara me Kosovën, Serbinë dhe partnerët tanë evropianë për të nxitur përmbushjen e të gjitha detyrimeve sipas marrëveshjeve të Dialogut”, ka thënë Escobar.
Ai ka thënë se ngecja e përparimit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ka krijuar hapësirë për Rusinë që të luaj rolin e saj destabilizues për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Për një kohë të gjatë, dështimi për të bërë përparim e ka lejuar Rusinë të luajë një rol prishës kundër qëllimit strategjik të Serbisë për integrimin evropian — të cilin populli serb e dëshiron fort dhe ne e mbështesim fuqishëm. Si Serbia ashtu edhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet për të çliruar potencialin e tyre të plotë dhe përparimin në rrugët e tyre përkatëse në BE”, ka thënë Escobar.