I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka bërë të qartë se çdo vendim mbi shpalljen “non grata” për funksionarë të lartë të shteteve të ndryshme, nuk është një vendim politik, por një përpjekje e përbashkët institucionale.
Zyrtari i lartë amerikan nënvizoi se nëse ish-kryeministri Berisha rikthehet në krye të Partisë Demokratike, kjo e fundit do të ketë pasoja.
Escobar theksoi se Sali Berisha është një person i shpallur “non grata” nga SHBA-ja dhe si i tillë funksionarët amerikanë nuk do të takohen me të.
Hetimet për Berishën, siç ka shpjeguar ai, është një përpjekje e gjatë institucionale. Madje, ajo ka qenë e shtrirë edhe gjatë administratës së Donald Trump, sipas tij.
Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit bëri me dije se sanksione të tjera do të ketë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar ndër të tjera se SHBA-ja do të jenë të gatshëm të vendosin në dispozicion të sistemit të drejtësisë dosjet që kanë mbi persona të ndryshëm.
Deklarata e Escobarit vjen një ditë para Kuvendit të PD-së të thirrur nga ish-kryeministri Berisha për t’ia marrë drejtimin e partisë liderit aktual Lulzim Basha. Ky i fundit e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD-së Berishën, pas shpalljes “non grata” nga SHBA-ja./Gazeta “Enigma”/