“Është dashur që Policia të ketë helikopterë”

“Është dashur që Policia të ketë helikopterë”

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se është dashur që Policia të ketë së paku dy helikopterë.

Ai ka thënë se po të kishte helikopterë, policët e Kosovës nuk do të qëndronin 11 ditë rresht në Jarinjë e Bërnjak pa ndërrime.

Ai ka thënë se edhe ushtarët e KFOR-it po qëndrojnë në Jarinjë e Leposaviq, porse KFOR-i e ka bazë në Leposaviq dhe se ndërrimet po i bën me helikopter.

“Në realitet, ne si Sindikatë kemi bërë shumë kërkesa, drejtuar Qeverisë për të përmirësuar shumë kushte e nevoja në Polici. Ndër të tjera si Sindikatë nuk jemi të kënaqur me buxhetin e caktuar për Policinë. S’ka pasur rritje që duhej të kishte. Jemi institucioni i vetëm i sigurisë, pa e përjashtuar FSK-në e që e dimë se e kemi ende me kompetenca të kufizuara, dmth jemi institucioni i vetëm i sigurisë. Kemi kompetenca kushtetuese me vepru në gjithë territorin e Kosovës. Të mendojmë për të ardhmen, të dyfishohet buxheti i Policisë dhe të bëhemi edhe ne me mjete logjistike të nevojshme. Një apo dy helikopterë duhej të kishte Policia e Ksoovës, 23 vjet pas lufte. Jo vetëm për veriun, por edhe për situatat tjera. Po të kishim helikopterë, zyrtarët policorë tanë nuk do të ishin për 11 ditë pa ndërrim në detyra të tyre”, ka thënë Zeqiri në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës vazhdon të jetë e diskriminuar, ndërsa ka përmendur faktin se ende nuk ka sigurim shëndetësorë për policët.

Zeqiri ka thënë se janë bërë kërkesa te institucionet dhe madje është bërë edhe propozimi për sigurime shëndetësore, që me “5 milionë euro në vit do të siguroheshin 9200 policë”, porse thotë se nuk ka marrë përgjigje konkrete nga krerët.

Ai po ashtu ka treguar se është bërë kërkesë edhe për një shpërblim të policëve për fundvit me një pagë shtesë. Ai ka thënë se ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ia ka treguar edhe shqetësimin për dorëheqjet vullnetare.

“Një zyrtar policor e ka pagën bazë 392 euro. Është në përfundim Ligji i Pagave. Dua të bëjë thirrje që të jenë të kujdesshëm e policët të kenë pagë të dinjitetshme. Është informuar ministri për dorëheqjet vullnetare në Policinë e Kosovës, nëse vazhdon kjo rrezikon të mbetet pa profesionistë. Dorëheqjet ndodhin për shkak të një page që nuk i mbulon as nevojat elementare”, tha Zeqiri.

Related Articles