Ditën e sotme, Famullia e Shën Mihillit në Doblibarë, përmes një njoftimi në Facebook ka njoftuar se ish-komandanti i UÇK-së, Sabit Geci, është konvertuar në fenë katolike.
Në postim thuhet se Geci është pagëzuar dhe ka ndërruar emrin nga Sabit në Kastriot.
Pas njoftimit të tyre, Geci në një prononcim për media e ka mohuar këtë, dhe është shprehur se është vetëm një shaka.
“Kjo është hajgare. Këto janë hajgare, unë absolutisht nuk kam nevojë me e ndërru fenë sepse nuk jam fetar fare”, tha Geci.
Ai ka pranuar se do të donte ta kishte një emër shqip dhe se këtë ua ka thënë edhe të pranishmëve në kishë, por tha se s’ka arsye ta ndërrojë emrin tash.
Pas kësaj, Paparaci ka kontaktuar me Famullinë, të cilët përmes telefonit kanë demantuar fjalët e Gecit.
Siç është paraqitur në telefon, prifti është shprehur se dje Sabit Geci është konvertuar dhe ka ndërruar emrin.
“Po është e vërtetë që dje me datë 28.11.2023, Sabit Geci është konvertuar në kishën e Llapushnikut”, janë shprehur nga Famullia për Paparacin.
Poashtu, në fotografinë e publikuar nga Famullia, vërehet se Geci ka rreth qafës një shall, ku shkruan “Pagëzimi”.