Kriptovaluta më e madhe në botë, Bitcoin, ka shënuar rritje të vlerës për 2 për qind të mërkurën në mëngjes, ndërsa kriptovaluta e dytë më e madhe, Ethereum, arriti në nivel rekord.
Ethereum u tregtua për 4.643 dollarë, duke e thyer rekordin e një dite më parë prej 4.600 dollarësh dhe duke shënuar rritje javore prej më shumë se 10 për qind, sipas agjencisë “Reuters”.
Administrata e Presidentit Biden është duke u përqendruar në të ashtuquajturat “stablecoin”, duke i bërë thirrje Kongresit që ta miratojë legjislacionin që do t’i forconte rregullat qeveritare. “Stablecoin” janë një lloj i kriptovalutave që u është rritur popullratiteti vitin e kaluar, shkruan Fox Businness, transmeton Gazeta Express.
Ndryshe, Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka thënë se një spital për kafshë po ndërtohet me fitimin e siguruar nga rritja e kriptovalutës Bitcoin.
“Po shohim përfitime shtesë si ky spital për kafshë, shkollat që po i reklamoj dhe, nëse do Zoti, nëse çmimi i Bitcoin-it vazhdon të rritet, do të ketë infrastrukturë të re për të mirën e popullit tonë”, tha Bukele gjatë një organizimi zyrtar ku e vuri themelin e klinikës për kafshë.
Spitali pritet të ketë zyra mjekësore, dhoma operuese, një zonë rehabilitimi dhe në të do të punësohen drejtpërdrejt 300 persona.
Në shtator, El Salvadori u bë shteti i parë në botë që e bëri Bitcoin-in valutë të ligjshme. /Gazeta Enigma.