EULEX-i ka njoftuar se një patrullë iu sulmua me shok-bombë në mbrëmjen e të shtunës në afërsi të Rudarës, ku janë vendosur barrikadat në veri.
EULEX-i ka thënë se sulmet e tilla janë të papranueshme dhe i dënon fuqishëm. I ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët e sulmeve të sillen para drejtësisë.
“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar. EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet. Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë”, thuhet nga EULEX-i.