Evakuimet nga Mariupol dhe Volnovakha nuk do të ndodhin të shtunën, pas një armëpushimi të dështuar, ka bërë të ditur Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, organizatë kjo që ishte caktuar ta mbikëqyrte përkohësisht armëpushimin.
Më herët, këshilli i qytetit të Mariupolit raportoi se bombardimet kishin vazhduar rreth qytetit në kohqn kur banorët përgatiteshin të niseshin me autobusë, në orën 11:00 sipas kohës lokale
“Ne mbetemi në dialog me palët për kalimin e sigurt të civilëve nga qytete të ndryshme të prekura nga konflikti”, ka thënë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në një deklaratë.
“Skenat në Mariupol dhe në qytete të tjera sot janë tronditëse. Çdo iniciativë nga palët që u jep civilëve një pushim nga dhuna dhe i lejon ata të largohen vullnetarisht për në zona më të sigurta është e mirëpritur”, ka shtuar kjo organizatë.
Ukraina thotë se plani ishte për të evakuuar 200,000 njerëz nga Mariupoli dhe 15,000 njerëz nga Volnovakha në total.